Dobësohet “Made in Germany” – Porositë industriale bien për të tretin muaj radhazi në Mars
Porositë për mallrat e prodhuara në Gjermani kanë rënë për të tretin muaj radhazi gjatë Marsit, për shkak të kërkesës së dobët jashtë vendit, duke treguar se fabrikat në ekonominë më të madhe të Europës pritet të humbasin vrull.
Kontratat për mallrat gjermanë ranë me 0.9%, duke ndjekur rënien me 0.2% në muajin Shkurt, sipas të dhënave të Byrosë Federale të Statistikave. Sipas analistëve, rënia e porosive industriale nënkupton se ekonomia do të ngadalësohet.
Qeveria uli projeksionet për ekonominë në vitin 2018, me një rritje prej 2.3% nga 2.4% që priste më parë, duke nënvizuar tensionet ndërkombëtare mbi tregtinë.
Gjermania, si vendi eksportues më i madh i Europës drejt Shteteve të Bashkuara, po përpiqet të shmangë luftën tregtare. Në periudhën që ka mbetur deri më datë 1 Qershor, ku Presidenti Donald Trump do të vendosë nëse do të caktojë tarifat mbi çelikun dhe aluminin për Bashkimin Europian, zyrtarët në Berlin i kanë bërë thirrje partnerëve në Europë që të jenë më fleksibël dhe arrijnë një dakordësi që jep përfitime për të dyja palët.
Rënia e porosive industriale erdhi kryesisht nga porositë nga jashtë, që patën rënie me 2.6%, ndërkohë që porositë vendase u rritën me 1.5%. Kërkesa për mallra kapitale si makineritë dhe automjetet pati rënien më të madhe, ndërsa porositë për mallrat e konsumit u rritën.
Ministria e ekonomisë deklaroi se sektori ka humbur vrull në tremujorin e parë, pas një performancë tejet të fortë në gjysmën e dytë të 2017-ës. Megjithatë, sipas ministrisë, kompanitë kanë pasur shumë porosi të akumuluara, për të procesuar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.