Dogana Morinë – Vërmicë, hapet faza e dytë për pikën e përbashkët me Kosovën

Rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve dhe ulja e burokracive ishte një nga arsyet pse Kosova dhe Shqipëria vendosën ndërtimin e një pike të përbashkët Doganore. Për këtë projekt me kosto 2.5 milionë dollarë ndërtimi u mendua në dy faza.
Në fazën e parë u bënë ndërhyrjet fillestare për pikën Morinë-Vërmicë, ndërkohë që tani faza e dytë synon ndryshime radikale dhe ngritjen e një pike kalimi të re moderne me parametra europiane. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka parashikuar që të mbyllë procedurat e nevojshme me kompaninë që do të bëjë zbatimin e kontratës brenda muajit prill. Kompania e interesuar mund të nënkontraktojë sipas specifikimeve vetëm 30 për qind të punimeve ndërsa 70 për qind të tyre duhet që ta kryejë e vetme.
Fondi limit për këtë fazë lidhur me pikën e përbashkët Morinë-Vërmicë duhet është 88 milionë lekë. Shqipëria ka në total 25 pika doganore nga të cilat pesë janë me Kosovën. Referuar shifrave gjatë vitit 2017 rezulton të kemi një rritje të importeve dhe eksporteve me Kosovën.
Në dy muajt e fundit 2017 shkëmbimet kapën vlerën 3.1 miliardë lekë nga 2.2 miliardë që ishin një vit më parë në të njëjtën periudhë.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.