Doganat, marrëveshje me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë – Ikonomi: Pakësohen barrierat për biznesin, procedura dixhitale
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të lehtësuar më tej procedurat për bizneset. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtuesja e Doganave, Belinda Ikonomi, tha se sfidat e doganave në të ardhmen ndahen në tre shtylla kryesore: së pari, përmirësimi i legjislacionit për të shmangur abuzimet, së dyti regjistrimi i operatorëve të autorizuar, të cilët do përfitojnë status preferencial, dhe ulja e korrupsionit në dogana.
“Tre janë le të themi shtyllat kryesore ku doganat duhet të fokusojë punën e saj. Në radhë të parë është përsëri përmirësimi i të gjithë pjesës ligjore, pra le të themi pasja e sa më shumë manualeve, udhëzimeve të cilat janë transparente edhe për biznesin në mënyrë që çdo procedurë të jetë e mirë përcaktuar që kryhet nga ana e biznesit dhe nga ana e doganierëve, në mënyrë që të mos ketë ekuivoke, që të mos ketë abuzime. Kjo është e para. Pastaj, një element mjaft i rëndësishëm që pritet që të ndodhë dhe këtu kërkojmë ndoshta edhe ndihmën tuaj, është regjistrimi i operatorëve ekonomikë të autorizuar. Pra, është një risi që parashikohet në Kodin Doganor dhe është një status për kompanitë që janë serioze të cilat përfitojnë shumë lehtësira nga e Doganës për sa i përket lëvizjes së tregtisë. Deh pastaj dhe një luftë tjetër, një masë të cilën do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë është pikërisht shmangia e informalitetit, është shmangia e korrupsionit, shmangia e hyrjes së madhe kontrabandë ose mallra të falsifikuara.”
Marrëveshja u përshëndet nga Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, si një tjetër hap drejt uljes së barrierave administrative dhe proceduriale për biznesin.
“Sot jemi drejt një fakti ku komunikimet dhe kontaktet fizike pothuajse janë eliminuar dhe kjo ka eliminuar tashmë edhe të gjitha ato barriera qoftë subjektive apo jo subjektive, të cilat përktheheshin ën kosto për çdo sipërmarrës, qoftë në sektorin e eksportit, qoftë në sektorin e importit. Kështu që unë jam i bindur që marrëveshja, bashkëpunimi që ne do firmosim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave do jetë një suport më shumë për të zgjidhur problematikat dhe për t’i dhënë të drejtë biznesit gjithmonë kur ai ka të drejtë.”
Takimi mes doganave dhe bizneseve u përqendrua te procedurat e marrjes së statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar dhe masat për ndalimin e futjes në territorin shqiptar të produkteve të falsifikuara.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.