Dogana me performancë të mirë: 30 mln euro më shumë të ardhurat se në 2016. Ja sa do të mblidhen deri në fund të këtij viti

Prishtinë 1 Gusht 2017 – Dogana e Kosovës raporton se niveli i të ardhurave është rritur me 5.15 për qind më shumë se në vitin 2016. Në një njoftim të publikuar së fundmi thuhet se: “Dogana e Kosovës ka vazhduar me performacë të lartë në mbledhjen e të ardhurave, si pasojë e rritjes së angazhimit të zyrtarëve doganor dhe rritje së kontrolleve në pikat kufitare. Krahasuar mes viteve 2016 dhe 2017 në periudha të njëjta kohore, kemi një rritje prej 5,15% më shumë të ardhura ose e shprehur në milionë, janë rreth 30 milionë euro më shumë të ardhura. Pra gjatë vitit 2016 dogana mblodhi 567,7 milionë euro, ndërsa në këtë periudhë janë mbledhur 597,01 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Gjithashtu përballë parashikimeve për vitin 2017, dogana ka arritur të kalojë projeksionin e qeverisë me 4 milion euro deri më tani, ndërkohë që sipas parashikimeve, deri në fund të vitit 2017 do të arrijë një tjetër rekord, sipas këtij dikasteri do të mblidhen mbi 1 miliard e 100 milionë euro të ardhura
“Kjo rritje tregon edhe një herë përkushtim e Doganës në realizimin dhe mbushjen e buxhetit që Kosova të ketë fonde të mjaftueshme, të cilat rikthehen tek qytetarët e Kosovës përmes investimeve në arsim, shëndetësi, siguri, infrastrukturë dhe shumë nevoja të tjera”, thuhet në njoftim.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.