Dokumenti i akuzës së Trump/ Demokratët thonë se ai rrezikon sigurinë e vendit. Trump e mohon

Politikanët demokratë në SHBA, që po drejtojnë akuzën kundër presidentit Donald Trump, bënë të ditur se presidenti duhet të largohet nga detyra për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe sistemin e qeverisjes së vendit.
Në një dokument prej 111 faqesh të dorëzuar përpara seancës në Senat këtë Javë, politikanët shpalosën argumentet që mbronin akuzat e abuzimit të detyrës dhe pengimin e hetimeve në Kongres kundër presidentit.
“Senati duhet të dënojë dhe heqë nga detyra presidentin Trump, për të shmangur dëme serioze dhe afat-gjata ndaj vlerave demokratike dhe sigurisë së kombit”, shkruante dokumenti, që i bënte thirrje në mënyrë direkte senatorëve që të tregohen të paanshëm.
Ekipi ligjor i Donald Trump mohoi bindshëm akuzat e shkarkimit. Duke refuzuar akuzat, avokatët e Trump përsëritën komentet e presidentit se akuzat nuk janë azgjë përveçse një përpjekje partiake për ta hequr atë nga detyra.
“Një sulm i rrezikshëm ndaj të drejtës së popullit amerikan që të zgjedhë lirshëm presidentin e vet. Kjo përbën një përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016 dhe ndërhyrë në zgjedhjet e 2020-ës”, argumentuan avokatët e presidentit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.