Dokumenti i Prioriteteve/Ministria e Brendshme kërkon konsulentë dhe ekspertë. Kush mund të aplikojë dhe çfarë duhet të plotësojë kandidati

Ministria e Brendshme ka hartuar Dokumentin e Prioriteteve, Objektivave dhe Masave për periudhën 2017-2021. Për zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e këtyre veprimtarive në lidhje me çështjet e rendit, sigurisë dhe çështjeve të tjera të këtij institucioni, Ministria e Brendshme do të ngrejë një grup ekspertësh që do të asistojnë në përmbushjen e detyrave të saj. Për këtë arsye ministria bën thirrje për shprehje interesi nga Konsulentë dhe Ekspertë, të cilët kanë afat të aplikojnë deri më 25 Nëntor, por duhet të plotësojnë një ser kushte.
“Kjo thirrje publike ka për qëllim identifikimin dhe hartimin e një liste me ekspertë të posaçëm dhe jo plotësimin e ndonjë posti apo vendi vakant. Thirrja u drejtohet të gjithë atyre personave, të cilët kanë njohuri dhe përvojë të posaçme në fushat e mëposhtme dhe janë në gjendje të demonstrojnë një shkallë të lartë integriteti dhe etike profesionale”, thuhet në njoftimin e MB.
Çfarë duhet të përmbushin kandidatët?
Lista përfundimtare e ekspertëve që do të bëhet publike nga Ministria e Brendshme do të përmbajë emrat e të gjithë atyre kandidatëve, të cilët mund të ftohen të shërbejnë si konsulentë apo ekspertë me kohë të shkurtër apo të mesme për:
- kryerjen e hulumtimeve, monitorimeve dhe analizave të pavarura;
- hartimin e raporteve të ndryshme dhe prezantimin e gjetjeve të tyre;
- përpilimin e rekomandimeve të posaçme drejtuar titullarëve;
- rishikimin e legjislacionit dhe ofrimin e shërbimeve këshillimore për përafrimin e tij me atë të BE-së;
- aplikimin, zbatimin, monitorimin dhe raportimin mbi programe të financuar nga Komisioni Europian dhe donatorë të ndryshëm;
- ofrimin e trajnimeve për punonjësit e strukturave nën varësi;
- realizimin e mbështetjen e fushatave të ndërgjegjësimit publik;
- përkthimin/interpretimin cilësor;
- asistimin për organizimin e konferencave, takimeve dhe vizitave të ndryshme;
- detyra të tjera sipas nevojave që mund të shfaqen.
Fushat e ekspertizës ku duhet të asistojnë:
– Siguria e jetës, shëndetit, pronës dhe mjedisit
– Rendi publik
– Parandalimi, zbulimi dhe hetimi i krimeve
– Policimi në komunitet
– Etika dhe integriteti në Polici
– Siguria rrugore
– Mbrojtja dhe menaxhimi i integruar i i kufijve
– Trafiqet e paligjshme (njerëzve, drogave, armëve, etj)
– Kontrabanda e emigrantëve
– Krimi i organizuar
– Korrupsioni dhe krimi ekonomik-financiar
– Pastrimi i parave
– Krimi kompjuterik
– Radikalizmi dhe Ekstremizmi Dhunshëm
– Azili
– Asistenca ndaj viktimave të krimit, trafikimit e dhunës në familje
– Sistemet e informacionit dhe teknologjisë
– Ekonomi/Financë
– Prokurime
“Të interesuarit do të vlerësohen mbi bazë të kualifikimeve dhe aftësive në fushat e përmendura më sipër. Kontratat e shërbimit ndaj ekspertëve të jashtëm do të ofrohen në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, sipas nevojave të posaçme të Ministrisë dhe në bashkëpunim me organizatat dhe donatorët ndërkombëtarë. Shërbimet e kërkuara mund të ofrohen në mënyrë të pavarur ose në grup, sipas nevojës. Sidoqoftë, kualifikimi për në listën përfundimtare të bërë publike nuk përbën garanci apo ofertë punësimi”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.