Dollari amerikan forcohet ndaj lekut – Euro dhe stërlina në rënie të lirë
Tregu i këmbimit valutor ditën e sotme vijon të karakterizohet nga një monedhë vendase shumë e fortë, në raport me shportën e valutave kryesore që këmbehen në vend.
Euro edhe sot është zhvlerësuar para lekut, duke humbur 0.2 pikë në raport me kursin e ditës së hënë. Kjo e çon valutën europiane në nivelin e 128.6 lekëve në shitje dhe 129.3 lekëve në blerje. Nëse ky trend do të vijojë dhe më tej, pritet që euro shumë shpejt të prekë një nivel të ri të ulët rekord.
Në një situatë të vështirë është edhe paundi britanik, i cili sot ka humbur plot gjysmë pike ndaj lekut, duke rënë në nivelin e 146.5 lekëve. Tashmë fitimet e prillit janë zhbërë totalisht dhe pritshmëritë për stërlinën janë mjaft negative.
E vetmja valutë që ka fituar terren ditën e sotme ka qenë dollari amerikan, i cili këmbehet për 105.3 lekë në shitje dhe 106.2 lekë në blerje. Krahasuar me ditën e djeshme, kjo përbën një forcim prej 0.5 pikësh të dollarit, meritë për të cilën kanë zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku valuta e SHBA ka arritur pikën më të lartë të 3 muajve të fundit. Megjithatë në tregun vendas, dollari është larg vlerave të Shkurtit, kur këmbehej për 108 lekë.
Sa i takon valutave të tjera, dollari australian ka pësuar një rënie të lehtë me 0.2 pikë, ndërsa dollari kanadez dhe franga zvicerane kanë mbetur të pandryshuara.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.