Dollari e nis javën në rritje – Lufta në Ukrainë, presion mbi monedhën europiane!
Dollari amerikan është forcuar në fillim të kësaj jave, përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, ndërsa jeni japonez ka prekur sërish nivelin më të ulët në 6 vitet e fundit, pasi Banka e Japonisë ndërhyri në treg për të parandaluar rritjen e yieldit të obligacioneve mbi objektivin kryesor.
Banka e Japonisë do të blerë një sasi të pakufizuar të obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë me një interes prej 0.25%. Pas këtij vendimi, dollari u rrit deri në 123.1 jen, niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 2015. Ndërkohë, euro ka humbur rreth 0.3% të vlerës përballë dollarit amerikan duke rënë poshtë nivelit teknik të 1.1.
Monedha europiane vijon të gjendet nën presion për shkak të efekteve që do të ketë lufta Rusi-Ukrainë në ekonominë e kontinentit. Gjithashtu, investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin për Eurozonën dhe për ekonomitë më të mëdha në Europës, që do të publikohen më vonë gjatë kësaj jave. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin është ngjitur në nivelin më të lartë për këtë vit, në rreth 47 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 3,320 dollarë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.