Dollari, fitimet më të mëdha në 4 javë – Mbështetet nga mundësitë që ekonomia e SHBA të bjerë në recesion

Dollari amerikan po shfaqet i qëndrueshëm në sesionin e sotëm, por pritet të realizojë javën më të mirë në 1 muaj. Investitorët kanë preferuar asetet e sigurta, ku bën pjesë edhe dollari amerikan, për shkak se bankat qëndrore po shtrëngojnë me shpejtësi politikat monetare dhe mund ta çojnë botën drejt recesionit.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare po qëndron në mbi 104, ndërsa gjatë kësaj jave është rritur me 0.7%. Investitorët po vendosin baste se ekonomia amerikane do të bjerë në recesion, ndërsa një pjesë e mirë e botës nuk do të përballet me një skenar të tillë.
Që nga muaji mars, Rezerva Federale e ka rritur normën bazë të interesit me 150 pikë bazë, rritja më e madhe që nga viti 1994. Gjithashtu, në takimin e këtij muaji, banka qendrore më e madhe në botë mund ta rrisë sërish normën e interesit me 75 pikë bazë.
Njëkohësisht, edhe Banka Qendrore Europiane pritet të bëjë të njëjtën gjë në takimin e këtij muaji dhe kjo do të jetë rritja e parë e interesave, në një dekadë. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në mbi 19 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1050 dollarë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.