Dollari, në nivelin më të lartë në 2 vite – FED pritet të rrisë normat e interesit në dy takimet e ardhshme!

Dollari vijon të qëndrojë në nivelin më të lartë në 2 vitet e fundit përballë euros, edhe në sesionin e sotëm, ndërsa përballë paundit po tregtohet në nivelin më të lartë të 18 muajt e fundit. Investitorët janë të shqetësuar për efektin që do të ketë vala e infektimeve me Covid-19 në Kinë dhe rritja agresive e normave të interesit në SHBA.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare është rritur në rreth 101.60, ndërsa gjatë këtij muaji është rritur me 3.3%, fitimet më të mëdha mujore që nga nëntori i vitit 2015.
Përsa i përket Rezervës Federale, ekonomistët parashikojnë një rritje të normës bazë të interesit me gjysëm pikë përqindje në secilin prej dy takimeve të ardhshme. Euro, ndërkohë, ka rënë drejt 1.07 dollarëve, shumë pranë nivelit më të ulët që nga marsi i vitit 2020 prej 1.0697 dollarë.
Në tregun e kriptovalutave vihet re një tendencë në rritje gjatë sesionit të sotëm, me bitcoin që tregtohet në rreth 40 mijë dollarë dhe ethereum në rreth 3 mijë dollarë. Ekspertët e kriptovalutave deklarojnë se tregu ka qënë i lidhur ngushtë me tregjet e kapitalit, pasi asnjë kriptovalutë nuk ka shmangur shqetësimet që kanë të bëjnë me normat e interesit, rritjen ekonomike, inflacionin dhe luftën.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.