Dollari, në nivelin më të lartë në 2 vite – Inflacioni gjatë marsit në SHBA, me rritjen më të madhe në 16 vite!

Indeksi i dollarit amerikan vijon të qëndrojë përmbi 100, përballë shportës me monedhat kryesore ndërkombëtare, që është niveli më i lartë në 2 vitet e fundit. Dollari po mbështetet nga pritshmëritë se inflacioni në SHBA do të jetë rritur me hapin më të shpejtë në 16 vitet e fundit, gjatë muajit të kaluar. Në këtë situatë, Rezerva Federale mund të ndjekë një politikë më agresive, me rritjen e interesave.
Gjithashtu, dollari amerikan po mbështetet nga rritja e yield-it të obligacioneve 10-vjeçare amerikane, në 2.836%, niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 2018. Ndërkohë, euro po tregtohet poshtë 1.09 dollarëve, ndërsa një mbështetje të lehtë po e gjen nga pritshmëritë se në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, Emmanuel Macron do të sigurojë një mandat tjetër në raundin e dytë të zgjedhjeve, përballë kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.
Në tregun e kriptovalutave, bitcoin ka rënë ndjeshëm në sesionin e kaluar, ndërsa sot po qëndron në rritje të lehtë. Kriptomonedha më e madhe në botë po tregtohet në rreth 39 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 3,000 dollarë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.