Dollari, nën presion nga ngadalësimi i ekonomisë – Powell nuk e përjashton mundësinë e një recesioni për SHBA

Dollari amerikan po gjendet nën presion gjatë sesionit të sotëm dhe po publikon humbjet për të katërtën ditë me radhë, përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, për shkak të shqetësimeve se ekonomia amerikane mund të përballet me një recesion. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare, po qëndron pranë 104, ndërsa që nga e premtja e javës së kaluar ka rënë me rreth 0.5%.
Tashmë fokusi i investitorëve është përqëndruar te mundësitë që ekonomia më e madhe në botë të përballet me një recesion, për shkak se Rezerva Federale po ndjek një politikë monetare agresive, si pasojë e inflacionit të lartë. Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tij në Kongres, presidenti i Rezervës Federale, Jerome Powell, deklaroi se banka është plotësisht e vendosur për të sjellë çmimet nën kontroll, edhe nëse ekonomia përballet me rrezikun e ngadalësimit.
Ai shtoi se një recesion i cekët është mëse i mundur. Ekonomistët e anketuar nga Reuters parashikojnë se Rezerva Federale do të rrisë edhe me 75 pikë bazë normën bazë të interesit, në takimin e korrikut dhe me 50 pikë bazë në takimin e shtatorit. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 20 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1100 dollarë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.