Dollari ngjitet në nivelin më të lartë në 2 vite – Sanksionet e reja të BE ndaj Rusisë ushtrojnë presion mbi euron!

Dollari amerikan është ngjitur në nivelin më të lartë në në 2 vitet e fundit, përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, pas komenteve të zrytarëve të Rezervës Federale, ndërsa euro vijon të gjendet nën presion nga mundësitë për të vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë 6 monedhave kryesore ndërkombëtare, është rritur në 99.64, niveli më i lartë që nga maji i vitit 2020.
Zëvëndëspresidentja e Rezervës Federale, Lael Brainard, deklaroi se pret një kombinim mes rritjes së interesave dhe mbylljes së programit të blerjes së bonove për t’i çuar politikat monetare në një pozicion neutraliteti, më vonë gjatë këtij viti. Yieldi i obligacioneve 2-vjeçare amerikane ka prekur nivelin më të lartë që nga janari i vitit 2019, ndërsa i atyre 5-vjeçare është ngjitur në nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2018.
Në anën tjetër, euro po tregtohet në rreth 1.0890 dollarë, niveli më i ulët në 1 muaj. Propozimet që Bashkimi Europian të ndalojë blerjen e qymyrit rus dhe të ndalojë anijet ruse të hyjnë në portet e Bashkimit Europian, ka ushtruar presion mbi euron. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin po tregtohet në mbi 45 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 3,300 dollarë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.