Dollari rritet përballë monedhave kryesore – Tregjet presin të dhënat mbi punësimin në SHBA dhe negociatat Rusi-Ukrainë

Dollari amerikan ka pasur një tendencë në rritje, në sesionin e fundit të javës, përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, ndërsa investitorët po presin të dhënat mbi punësimin në SHBA që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme. Raporti mbi punësimin mund të japë një panoramë më të qartë nëse Rezerva Federale do të rrisë me 50 pikë bazë normën bazë të interesit, në takimin e këtij muaji.
Gjithashtu, monedha e gjelbër është mbështetur nga statusi i saj si parajsë e sigurtë, në një kohë që negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës pritet të rifillojnë ditën e sotme. Indeksi që mat dollarin amerikan përballë 6 monedhave kryesore ndërkombëtare u rrit me 0.10% në 98.42. Përsa i përket të dhënave në SHBA, ekonomistët parashikojnë se ekonomia më e madhe në botë do të ketë krijuar edhe 500 mijë vende pune gjatë marsit.
Ndërkohë, euro po tregtohet në rreth 1.1069 dollarë, duke u tërhequr nga niveli më i lartë në një muaj prej 1.1185 të regjistruar një ditë më parë. Megjithatë, monedha europiane pritet të publikojë fitime javore prej 0.8%. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin ka rënë poshtë 45 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 3200 dollarë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.