Dollari, sërish në nivelin më të lartë në 2 vite – Komentet e zyrtarëve të FED dhe BQE mbështesin monedhën e gjelbër!

Dollari amerikan është ngjitur në nivelin më të lartë në 2 dekadat e fundit, gjatë ditës së sotme, përballë jenit japonez, ndërsa në raport me euron po qëndron në nivelin më të lartë në 2 vitet e fundit. Komentet e fundit të zyrtarëve të Rezervës Federale kanë përforcuar pritshmëritë se banka qendrore në SHBA do të ndjekë një politikë monetare në agresive. Dollari po tregtohet në rreth 126.4 jen, niveli më i lartë që nga maji i vitit 2002.
Në anën tjetër, euro ka rënë sërish drejt 1.08 dollarëve, që është niveli më i ulët që nga prilli i vitit 2020. Në konferencën për mediat, pas përfundimit të takimit 2-ditor, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, deklaroi se nuk ka ende një datë të përcaktuar për fillimin e rritjes së interesave, pavarësisht inflacionit shumë të lartë.
Lagarde tha se mund të duhen disa javë apo disa muaj, përpara se të mbyllet skema e blerjes së obligacioneve. Pas këtyre komenteve, indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë 6 monedhave kryesore ndërkombëtare, u rrit deri në 100.5, niveli më i lartë në 2 vite. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin vijon të tregtohet në nivelin më të ulët në 4 javët e fundit, prej rreth 40,000 dollarë. Ethereum po tregtohet në mbi 3,000 dollarë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.