Dollari tërhiqet nga niveli më i lartë në 20 vite – BQE: Dobësimi i euros mund të pengojë stabilizimin e inflacionit

Dollari është tërhequr lehtë nga niveli më i lartë në 20 vitet e fundit të regjistruar një ditë më parë, ndërsa në fokus të investitorëve gjatë ditës së sotme do të jetë ekonomia globale, pas të dhënave të dobëta të publikuara në Kinë.
Aktiviteti i fabrikave në Kinë ra ndjeshëm në prill, si pasojë e rikthimit të kufizimeve për të parandaluar përhapjen e Covid-19 në vend. Për këtë arsye, yuani kinez u gjend nën presion duke prekur nivelin më të ulët që nga shtatori i vitit 2020 përballë dollarit amerikan, prej 6.8380. ndërkohë, euro është rimëkëmbur lehtë në raport me monedhën amerikane, por megjithatë vijon të qëndrojë poshtë nivelit të 1.05 dollarëve.
Politikëbërësi i Bankës Qendrore Europiane, Francois Villeroy de Galhau deklaroi se dobësimi i monedhës europiane mund të dëmtojë përpjekjet e BQE-së për të trajtuar inflacionin.
Ndërkohë, dollari australian që është i ekspozuar ndaj ekonomisë kineze, rikuperoi një pjesë të humbjeve prej 0.9% në tregtinë aziatike. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare po qëndron në rënie me rreth 0.1%, ndërsa një ditë më parë e kaloi përkohësisht edhe nivelin psikologjik të 105, që njëkohësisht është edhe niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 2002.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.