Dollari vazhdon rënien – Niveli më i ulët që prej 2014-ës, nuk merr nxitje nga rritja e yield-it
Dollari ra në nivelin më të ulët në më shumë se 3 vite kundër shportës kryesore të valutave gjatë fundit të kësaj jave dhe pritet të tregojë humbjet më të mëdha javore në 2 vite, ndërkohë që humori negativ po minimizon mbështetjen që mund të vijë nga rritja e interesave të titujve të Thesarit. Valuta amerikane është ndikuar nga disa faktorë këtë vit, përfshirë shqetësimet se Washingtoni mund të ndjekë një strategji të dollarit të dobët.
Besimi i tregtarëve te valuta e gjelbërt është ndikuar gjithashtu nga shqetësimet mbi deficitin e llogarisë korrente në SHBA, që projektohet të arrijë në 1 trilionë dollarë në 2019-ën prej rritjes së shpenzimeve qeveritare dhe reduktimeve të mëdha tatimore. Indeksi i dollarit që mat performancën kundër 6 valutave kryesore, ra në 88.2, që është niveli më i ulët që prej Dhjetorit 2014.
Kjo rënie ka ardhur në një kohë kur yield-et e titujve të Thesarit kanë shënuar nivelet më të larta në 4 vite, duke nxitur pritshmëritë që Rezerva Federale të rrisë normën bazë të interesit thuajse 4 herë këtë vit. Kjo ka konfuzuar shumë tregtarë, ndërkohë që rritja e yieldit lidhet zakonisht edhe me fuqizimin e dollarit. Sipas analistëve, kjo mund të shpjegohet prej faktit se yieldet po rriten më shumë prej shqetësimeve mbi deficitin në buxhet se sa prej inflacionit dhe gjithashtu prej preferencës së Thesarit të një dollari më të dobët.
Kundër jenit, valuta preku 105.5, niveli më i ulët në 15 muaj. Euro u ngjit në nivelin më të lartë në 3 vite kundër dollarit, në 1.2556. Franga zvicerane arriti gjithashtu nivelin më të lartë që prej Qershorit 2015, në 0.91 për dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.