Dollari zgjeron humbjet – Rihapja e ekonomisë kineze mund të mbështesë ekonominë

Dollari amerikan e ka nisur edhe këtë javë në rënie, ndërsa gjatë javës së kaluar publikoi humbjet e para në rreth 2 muaj. Investitorët kanë ulur bastet për monedhën amerikane, ndërkohë që janë rikthyer shpresat se rihapja e ekonomisë kineze mund të ndihmojë në rritjen ekonomike globale.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan është në rënie me rreth 0.1%, në 102.7, 2% poshtë nivelit prej 105 të regjistruar në fillim të majit. Autoritetet në Shanghai pritet të heqin të gjitha kufizimet e Covid-19, ndërsa ulja e madhe e normës bazë të interesit javën e kaluar në Kinë sinjalizon se qeveria dhe banka qëndrore do të mbështesin rimëkëmbjen e ekonomisë. Qyteti me rreth 25 milionë banorë pritet të heqë karantinën dhe t’i rikthehet normalitetit duke filluar nga data 1 qershor.
Ndërkohë, paundi britanik fitoi rreth 2% të vlerës përballë dollarit javën e kaluar për shkak të të dhënave pozitive mbi shitjet me pakicë, duke u ngjitur mbi nivelin teknik të 1.25 dollarëve. Në fokus të tregjeve janë edhe zhvillimet gjeopolitike në Azi, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, do të fillojë një tur në këtë rajon për të promovuar një angazhim më të madh ekonomik të Shteteve të Bashkuara për të sfiduar influencën kineze.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.