Dorëheqja e mjekëve të Urgjencës – Zaimi: Jemi në punë, në shërbim të qytetarëve
Një grup mjekësh të urgjencës së QSUT-së kanë firmos një letër ku shprehen se janë të gatshëm që të japin dorëheqjen, si rezultat i kushteve të vështira dhe i mbingarkesës në punë. Një letër kjo e cila nuk mundi që të mbërrinte në mënyrë zyrtare as në Ministrinë e Shëndetësisë dhe as në Drejtorinë e QSUT-së.
Pas një takimi të zhvilluar me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të drejtorisë së QSUT-së, shefi i shërbimit të Urgjencës, Edmond Zaimi është shprehur se, nuk kanë dhënë dorëheqjen dhe se janë në krye të detyrës, në shërbim të qytetarëve.
“Kjo është një kërkesë e jona për të rregulluar problemet nëpërmjet drejtorisë dhe kjo kërkesë për ne I drejtohet drejtorisë. Është puna e drejtorisë më tej që do zgjidhi edhe problemet duke përforcuar të gjitha hallkat e sistemit. Por, shpeshherë zgjidhja e këtyre problemeve dalin jashtë mundësive dhe kapaciteteve tona. Siç e shihni, ne të gjithë jemi në punë, të gjithë duke u marrë, por ngarkesa e punës është shumë e madhe.”
Në mbështetje të mjekëve ka dalë edhe opozita. Deputeti, Bardh Spahia është shprehur në një prononcim për mediat se kërkesat e mjekëve janë legjitime, madje ata kanë nevojë për më shumë.
“Kryefjala është një dhe vetëm një: Mungesa të theksuara në të gjitha aspektet. Një sistem shëndetësor totalisht në amulli të plotë, çakordim të plotë, në kaos total. Mungesa të theksuara në të gjitha aspektet përsa i përket materialeve të ndryshme, medikamenteve të ndryshme, pajisjeve mjekësore, por edhe kushteve jashtëzakonisht të vështira, të tmerrshme do t’i konsideroja, në të cilat janë të detyruar të punojnë punonjësit e sistemit shëndetësor shqiptar, duke filluar nga mjekët, infermierët dhe personeli tjetër I shërbimit shëndetësor shqiptar.”
Shërbimi i Urgjencës në QSUT është një nga shërbimet që ka edhe ngarkesën më të madhe të punës.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.