Dorëhiqet nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali: Misioni në opozitë më obligon aktin e dorëheqjes
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali ka njoftuar dorëheqjen nga ky post që e mbante prej 2 vitesh, si përfaqësuese e LSI-së.
Në një deklaratë për mediat, Paskali ka deklaruar se ky vendim vjen si dëshmi serioziteti e përkushtimi përkrah qytetarëve që i kanë besuar LSI-së mision opozitar.
“Jam në këtë komunikim publik për t’ju bërë me dije dorëheqjen time nga posti i Nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.
Ky është një vendim politik i marrë duke reflektuar me përgjegjshmëri pas zhvillimeve më të fundit në Këshillin Bashkiak ku bashkëpunimi institucional i deritanishëm në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe në përmbushje të të gjitha detyrimeve që Bashkia ka ndaj tyre, u zëvendësua me partneritetin individual me dy këshilltarë që kanë vepruar në kundërshtim me qëndrimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Misioni në opozitë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, më obligon aktin e dorëheqjes si dëshmi serioziteti, përkushtimi dhe detyrimi përkrah qytetarëve që me verdiktin e tyre i kanë besuar Lëvizjes Socialiste për Integrim përmbushjen e këtij misioni të rëndësishëm. Gjatë këtyre 2 viteve jam përpjekur të bëj më të mirën për qytetarët e Tiranës brenda kufijve të mandatit tim dhe këtë do të vazhdoj ta bëj edhe në detyra të tjera në të ardhmen. Një falënderim i veçantë shkon për grupin e Këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim me të cilët gjatë këtyre 2 viteve kemi ndërmarrë nisma të rëndësishme në interes të qytetarëve të Tiranës” tha Paskali në deklaratën e dorëheqjes.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.