Dorëzohet Theresa May – Ofron dorëheqjen e saj nëse Brexit kalon në parlament
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, ka lajmëruar se do të japë dorëheqjen nëse marrëveshja e saj për Brexit kalon me sukses në Parlament, duke krijuar mundësinë që një pasardhës të marrë drejtimin e negociatave të ardhshme me Bashkimin Europian.
“Unë jam e përgatitur për të lënë këtë punë më herët se ç’prisja, në mënyrë që të bëhet gjëja e duhur për partinë dhe vendin tonë” -tha kryeministrja në një takim të politikanëve konservatorë. Sipas deputetit konservator James Cartlidge, pjesëmarrës në takim, Theresa May nuk është e përgatitur për fazën e ardhshme të negociatave me Bashkimin Europian.
Parlamenti britanik ka refuzuar dy herë marrëveshjen e Brexit të Theresa May. Kryeministrja pritet ta sjellë një herë të tretë paketën në parlament. Largimi i May shihet si një mundësi për të marrë vota nga euroskeptikët e djathtë në partinë e saj, që kërkojnë një lider tjetër që të marrë frerët e negociatave me Bashkimin Europian. Tashmë, pritet një betejë mes mbështetësve të Brexit në partinë Konservatore për kryeministrin e ardhshëm. Beteja vjen në një kohë të pasigurive politike për Mbretërinë e Bashkuar.
Detyra e May ka zgjatur për thuajse 3 vite që kur fitoi garën për të zëvendësuar David Cameron dhe për t’u bërë liderja e dytë femër në Britani që prej Margaret Thatcher.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.