Dow Jones kalon 22000 – Një rekord i ri, falë ndihmës së Apple

Mesatarja industria e Dow Jones kaloi 22 mijëshen për herë të parë në histori, falë edhe një shtytjeje të madhe nga aksionet e Apple.
Indeksi u ngjit me 43 pikë në nisje të sesionit, teksa aksionet e “Mollës” u rritën me gati 6%, falë rezultave të shkëlqyera të tremujorit të fundit.
Tashmë analistët shohin më tepër mundësi për ecjen përpara të bursës.
“Ne besojmë se investitorët do të ndihen tashmë më të sigurt në zotërimin e aksioneve gjatë ciklit të ardhshëm të iPhone 8 që pritet të nisë në vjeshtë”, shprehet analisti Brian White.
Bursës iu deshën vetëm 5 muaj për të kapërcyer nga 21 mijë në 22 mijë. Impaktin më të madh pozitiv në këtë rritje e kanë patur aksionet e Boeing, të cilat kontribuan në 380 pikë që prej 1 Marsit, ndjekur nga McDonalds dhe UnitedHealth Group me 171 dhe 166 pikë përkatësisht.
Teksa shumica e rezultateve të kompanive këtë tremujor po mbështesin idenë e një ekonomie globale të qëndrueshme, e cila po çon kapitalet drejt majave të reja, pyetjet qëndrojnë mbi faktin se sa kohë mund të vazhdojë ky sprint, duke patur parasysh të dhënat jo shumë pozitive të inflacionit dhe prodhimit në SHBA.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.