DPT: Ja cilat janë detyrimet tatimore të fermerëve
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përmes informacioneve të publikuara në faqen zyrtare të saj, prezanton të drejtat dhe detyrimet e kategorisë së tatimpaguesve: “Fermer”, si pjesë e Platformës së Informimit.
Përfshihet në kategorinë “Fermer” individi që është banor atje ku zotëron tokë bujqësore në pronësi ose në përdorim; zhvillon aktivitetin në një sipërmarrje bujqësore, si veprimtari për prodhimin e produkteve bujqësore, bimore ose shtazore, i vetëpunësuar në tokën e tij dhe nuk është i regjistruar si person fizik ose juridik në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Në mënyrë që të përfitojnë kompensim të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) apo subvencione nga qeveria fermerët duhet të regjistrohen tek Drejtoria Rajonale Tatimore, të plotësojnë formularin, të marrin dokumentin unik të identifikimit (NIPT) si edhe certifikatën e regjistrimit si fermer.
Fermerët, për të përfituar pension pleqërie invaliditeti apo familjar si edhe pagesë për lindje fëmije ato duhet të regjistrohen tek Agjencia e Sigurimeve Shoqërore (ASSH) duke paraqitur Certifikatën familjare, vërtetimin e pronësisë mbi tokën ose të së drejtës së përdorimit të saj, kontratën e qiramarrjes së tokës bujqësore, vërtetim të njësisë administrative bashkiake për ushtrimin e veprimtarisë si fermer.
Për të marrë librezën e pagesës së kontributeve fermerët duhet të marrin dokumentin Urdhër-veprim që tregojnë shumën që duhet të paguajnë, të kryejnë pagesën e kontributeve si dhe të paraqesin në ASSH dokumentin që konfirmon kryerjen e pagesës së kontributeve.
Kontributet paguhen në sistem bankar ose shërbim postar një herë në tre muaj, në ditën e fundit të muajit të tretë të çdo tremujori.
E.T/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.