DPT miraton planet operacionale për 2018 – Mbledhja e borxhit dhe zbatimi i legjislacionit tatimor në qendër të planeve

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka miratuar Planet Operacionale për vitin 2018, të mbështetura në strategjinë afatgjatë 2017-2021.
Garantimi i asistencës për përmbushjen vullnetare, zbatimi i legjislacionit tatimor, hetimi i rasteve të mashtrimit tatimor, si dhe progresi organizativ i administratës tatimore e rritja e kapaciteteve të saj do të jenë edhe pikat kyçe të këtyre planeve të miratuara në mbledhjen e zhvilluar ditën e martë.
Ndërkohë, sipas njoftimit të DPT-së, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ndërveprimit të brendshëm institucional ku drejtoritë do të përfshihen në veprime të përbashkëta sipas afateve të mirëpërcaktuara në drejtim evidentimit të sektorëve me risk, përfshirjen e tyre në plane sektoriale të përmbushjes vullnetare, kontrolleve me qëllim korrigjimin e sjelljes deviante të tatimpaguesve.
Ndërkohë, lidhur me mbledhjen e detyrimeve tatimore, gjatë planit operacional për këtë vit, prioritet i është dhënë borxhit tatimor, ndjekjes dhe arkëtimit të tij si dhe forcim i bashkëpunimit me Qendrën e Thirrjeve për informimin në kohë të tatimpaguesve për të parandaluar krijimin e detyrimeve të reja, thuhet më tej në njoftim.
Po ashtu, Adminsitrata Tatimore në fokus të këtyre planeve ka vënë edhe forcimin e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore. Këto të fundit do të përfshihen në programe trajnimesh të vazhdueshme që do të vlerësohen në bazë të kritereve të matjes së performancës.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.