Tatimet: Xhiroja ditore deklarohet e ulët, së shpejti kontrolle bizneseve

Edhe pse është detyrim ligjor që tatimpaguesit të mbajnë dokumentacionin tatimor, konkretisht atë që lidhet me përdorimin e pajisjeve fiskale, ka ende biznese që nuk presin çdo ditë kupona tatimor kundrejt produktit që shesin.
Nga verifikimi i të dhënave të transmetuara gjatë vitit 2017, rezulton se ka pajisje fiskale nga të cilat nuk është kryer çdo ditë transmetimi, duke mos përmbushur dhe respektuar pikën 9.1 të VKM Nr. 781, datë 14.11.2007 “Për karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike”, i ndryshuar.
Gjithashtu nga verifikimi konstatohet se edhe kur transmetimet janë kryer në disa raste, vlerat e transmetuara nga pajisjet dhe numri i kuponave ditore të prerë është në një vlerë të ulët.
Bazuar në të drejtën e saj për të kontrolluar, administrata tatimore paralajmëron se është duke planifikuar kryerjen e vizitave fiskale në vendet e ushtrimit të veprimtarisë, për evidentimin e fakteve dhe faktorëve që mund të kenë sjellë për pasojë uljen ose reduktimin e xhiros së kryer, si dhe faktin se përse nuk janë kryer transmetimet ditore sikurse parashikon legjislacioni.
Kuponi tatimor i lëshuar nga pajisja fiskale, është dokumenti tatimor i kërkuar ligjërisht për çdo tatimpagues, që shet mallra apo ofron shërbime me para në dorë. Në mbështetje të këtij detyrimi ligjor, pranë administratës tatimore është ngritur një sistem monitorimi on-line, i cili ndjek dhe regjistron çdo ditë, të dhënat e transmetuara nga pajisjet fiskale të çdo tatimpaguesi. Njoftimi i plotë, kliko këtu.
Eralda Zito/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.