Drafti final i buxhetit 2018 – Financat: Po punojmë, përfundon të premten

Drafti përfundimtar i buxhetit të 2018 do të jetë gati të premten. Burime nga Ministria e Financave, bëjnë më dije për TV SCAN se aktualisht po punohet mbi disa drafte të cilat po analizohen nga ekspertë të këtij dikasteri.
Aktualisht nuk është mbyllur akoma drafti i paketës fiskale që do të shoqërojë buxhetin, çka bën që dhe shifrat e ligjit kryesor të financave publike të ndryshojnë. TV SCAN disponon njërin prej drafteve mbi të cilin akoma po punohet dhe nuk është përfundimtari.
Sipas këtij drafti, të ardhurat e parashikuara për vitin e ardhshëm janë në vlerën e 464.2 miliardë lekëve, nga të cilat 317.1 miliardë lekë pretendohen të mblidhen nga Tatimet dhe Doganat, 18 .7 miliardë lekë nga pushteti vendor, 88 miliardë lekë nga fondet special dhe 25.7 miliardë lekë nga të ardhurat jo tatimore.
Ndërsa shpenzimet buxhetore për vitin e ardhshëm, sipas këtij drafti janë llogaritur në vlerën e 496.6 miliardë lekë, ku për investime publike janë parashikuar 85.9 miliardë lekë. Deficiti buxhetor është parashikuar 32.3 miliardë lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.