Draghi mbi papunësinë te të rinjtë – I bën thirrje qeverive të Eurozons për të reformuar tregjet e punës

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, i bëri thirrje qeverive të Eurozonës për të reformuar tregjet e tyre të punës dhe përmirësuar perspektivën për të rinjtë, duke thënë se norma e lartë e papunësisë te të rinjtë ka kosto të madhe për shoqërinë. Në fjalimin e tij të parë publik në Irlandë, Draghi theksoi se pesha e krizës financiare është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë te të rinjtë, me treguesin që u rrit dy herë më shumë se norma e përgjithshme e papunësisë.
Në Greqi dhe Spanjë, norma e papunësisë te të rinjtë qëndronte në 23% dhe 18% në mënyrë respektive gjatë fillimit të krizës financiare dhe arriti në rreth 50% në vitin 2013. Në të njëjtën periudhë, treguesi u trefishua në Irlandë, duke arritur 30%.
Ndërkohë, në Gjermani, një vend i pa ndikuar nga faktorët ciklikë, norma e papunësisë te të rinjtë ra nga 12% në vitin 2007, në 8% në vitin 2013. “Sistemet e edukimit profesional, caktimi fleksibël i pagave, mbështetja më e fortë publike për gjetjen e punës si dhe segmentimi më i ulët i tregut të punës shpjegojnë pjesërisht pse norma e papunësisë te të rinjtë është më e ulët në Gjermani dhe Francë”, tha Presidenti i Bankës Qendrore Europiane.
Draghi pranoi se rimëkëmbja e fundit në Eurozonë ka sjellë përmirësimin e kushteve të tregut të punës, ndërkohë që Produkti i Brendshëm Bruto është rritur për 17 tremujorë radhazi, duke krijuar mbi 6 milionë vende pune në total. Për rrjedhojë, nga viti 2013, norma e papunësisë te të rinjtë ka rënë nga 24% në rreth 19% në 2016-ën, që është ende 4% sipër nivelit të fillimit të krizës.
Ndër kostot e papunësisë te të rinjtë, Draghi përmendi edhe ndikimin në produktivitetin në periudhë afatgjatë. Firmat me produktivitet të lartë, veçanërisht në fazën e hershme të zgjerimit, ka shumë gjasa që të punësojnë të rinjë për shkak se ky grup i ndihmon ata me inovacionin.
Në përfundim, për të adresuar shkaqet strukturore të papunësisë te të rinjtë, Draghi përmendi nevojën e një “shkallë uniforme të mbrojtjes së punëtorëve, programe efektive të trajnimit profesional dhe reduktim të kostos sociale prej mobilitetit të punës”.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.