Draghi mbi stimujt monetarë – “Do të përfundojnë kur të ketë më shumë prova për inflacionin”
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, tha se duhen më shumë prova se inflacioni po rritet drejt objektivit dhe se vetëm atëherë do të përfundojë programin e blerjes së obligacioneve. Investitorët ndodhen tashmë në pritje për sinjale nga institucioni në Frankfurt, për lëvizjen e ardhshme. Ata presin që politikëbërësit të përfundojnë stimujt monetarë më vonë gjatë këtij viti, kryesisht prej rritjes së fortë ekonomike.
“Ne shohin që inflacioni po shkon drejt objektivit tonë në terma afat-mesëm, por duhen ende më shumë prova. Ky është kushti për të përfunduar blerjen e aktiveve”, tha Draghi.
Politikëbërësit janë treguar të kujdesshëm në komunikim mbi përfundimin e stimujve, prej shqetësimit se çdo lëvizje mund të kthejë mbrapsht efektin e politikave lehtësuese, duke dëmtuar ekonominë. Çmimet e konsumit nuk ka gjasa të arrijnë 2%-shin në vitet e ardhshme, pavarësisht se ekonomia e Eurozonës ndodhet në vitin e 5 radhazi të rritjes.
Programi prej 2.55 trilionë euro i nisur 3 vite më parë për të larguar kërcënimin e deflacionit, pritet të skadojë në fund të Shtatorit. Rritja e parë e normave të interesit që prej krizës financiare pritet të ndodh në gjysmën e dytë të vitit 2019 dhe norma e interesit për depozitat pritet të rritet në 0% nga -0.4%, në fund të vitit të ardhshëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.