Draghi për mbikëqyrjen bankare – Hapa para, por duhet ende shumë punë

Mbikëqyrja bankare nga ana e Bankës Qendrore Europiane i ka bërë bankat europiane më rezistente ndaj krizave, deklaroi kreu i institucionit me bazë në Frankfurt, Mario Draghi.
Ndër të tjera, ai shtoi se, për të zgjdhur çështjen e kredive jo performuese duhet një përpjekje e përbashkët mes autoritetit mbikëqyrës, atyre të rregullimit dhe atyre kombëtare, përveç ndihmës së pashmangshme të insticioneve huadhënëse.
Duke nënvizuar faktin se, bankat me nivel të lartë të kredive jo performuese japin më pak hua ndaj familjeve dhe biznesit, Draghi vuri theksin për të disatën herë te rëndësia e kësaj lufte.
Ndër të tjera, numri një i Bankës Qendrore Europiane sqaroi se, niveli i kredive me probleme ka rënë ndjeshëm në eurozonë gjatë dy viteve të fundi, dhe se duhen bërë hapa para edhe më vendimtare në këtë drejtim. Përballja me kreditë me probleme është një parakusht për shtyllat e tjera të unionit bankar, theksoi ai.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.