Draghi përfundoi mandatin 8-vjeçar në krye të BQE! Shpëtoi euron por e la bankën qendrore më të përçarë se kurrë më parë

Nga Lidion Kulla/SCAN Magazine
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, e përfundoi mandatin e tij 8-vjeçar në fund të tetorit, por vendimet e tij kanë krijuar një ndarje brenda institucionit, që rrallëherë ndodh.
Trashëgimia e tij në krye të BQE formohet rreth dy fjalëve: “gjithçka që duhet”. Por, tashmë që ai është larguar po lindin shumë pyetje në lidhje me suksesin e politikave monetare që implementoi.
“Ironikisht, fundi i presidencës së Draghit përkon me një periudhë të skepticizmit në rritje, në lidhje me efektivitetin e politikave monetare dhe thirrjeve për një rol më aktiv të politikave fiskale”, shprehet Silvia Dall’Angelo, ekonomiste e lartë pranë Hermes Investments. Që pas krizës së borxhit sovran në Eurozonë, në vitin 2011, BQE është përpjekur të arrijë objektivin e saj kryesor: të sigurojë një inflacion pranë, por poshtë 2% në terma afatmesëm.
Në të njëjtën kohë, rritja e sfidave ekonomike, si lufta tregtare, Brexit dhe dobësimi i sektorit të manifakturës kanë rritur presionin mbi bankën qendrore për të vepruar. Ky aksion arriti kulmin në muajin shtator, kur BQE njoftoi një raund të ri të blerjes së obligacioneve qeveritare. Ky vendim solli një ndarje serioze brenda BQE.
Në këtë situatë, në mënyrë që politikat e BQE të jenë efektive, pasardhësja e Draghit, Christine Lagarde do të duhet të qetësojë debatin dhe të eleminojë ndasitë që ekzistojnë mes anëtarëve të bankës. Shpesh herë, anëtarët e BQE kanë shprehur shqetësime mbi efektivitetin e masave politike, por edhe për shkallën e tyre. Ky ka qënë një shqetësim edhe për një pjesë të ekonomistëve, të cilët kanë vënë në dyshim përfitimet nga politikat monetare ultra lehtësuese.
Cila është e ardhmja e Eurozonës?
Kriza e borxhit sovran të vitit 2011 pati një ndikim afatgjatë në Eurozonë, pjesërisht për shkak të mendimeve të ndryshme politike mes vendeve anëtare të bllokut. Ndërkohë që të gjitha vendet përdorin të njëjtën monedhë dhe politikat monetare zbatohen në mënyrë të barabartë, politikat fiskale janë një çështje që përcaktohen në nivel kombëtar.
Si rezultat, kur kriza goditi, Eurozona nuk kishte as efikasitetin institucional dhe as qeverisjen qendrore për të trajtuar problemin. Draghi mbështeti përfundimin e kornizës institucionale europiane, e cila nevojitet për të siguruar qëndrueshmërinë e monedhës së përbashkët dhe të projektit europian në tërësi.
Megjithatë, progresi ka qënë i kufizuar. Krijimi i unionit bankar, i cili synon të barazojë standardet dhe mbikëqyrjen bankare në të gjitha vendet e zonës euro, dhe unioni i tregjeve të kapitalit, që do të ofrojë burime më të mëdha të financimit, nuk kanë përfunduar ende. “Ndërkohë që Draghi largohet, projekti europian po humbet një nga kampionët kryesorë, duke e bërë më të vështirë finalizimin e këtyre projekteve”, shprehet Dall’Angelo nga Hermes Investments.
Trashëgimia e fundit e Draghit
Pavarësisht së ardhmes, analistët nuk kanë dyshime se Draghi gjithmonë do të identifikohet me fjalimin “gjithçka që duhet”. Në vitin 2012, tregu i obligacioneve ishte në panik mbi mundësinë e falimentimit të borxheve sovrane dhe eventualisht një shpërbërje të Eurozonës. Si rezultat, tregtarët ishit të shqetësuar për të blerë borxhin europian.
Por, Draghi, që ende nuk kishte mbushur një vit në krye të BQE, deklaroi përpara një auditori në Londër: “Brenda mandatit që na lejon ligji, BQE është e gatshme të bëjë gjithçka që duhet për të shpëtuar euron. Dhe më besoni do të jetë e mjaftueshme.”
Angazhimi i Draghit për të bërë “gjithçka që duhet” ishte një pikë e qartë kthesë, por ai nuk kishte mjetet politike për ta mbështetur atë. Fjalët e presidentit të BQE u dëgjuan nëpër të gjitha dhomat e tregtimit në të gjithë botën, ndërsa investitorët e besuan vendosmërinë e tij dhe yield-et në të gjithë Eurozonën ranë ndjeshëm.
Konferenca e fundit për mediat
Mario Draghi zhvilloi konferencën e fundit për mediat të enjten e 24 tetorit, por nga posti i presidentit u largua më 31 tetor. Në komunikimin për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Drejtues, Draghi tha se BQE i mbajti të pandryshuara normat e interesit. Gjithashtu, banka e mbajti të pandryshuar udhëzimin për të ardhmen, duke sugjeruar se normat e interesit do të qëndrojnë të ulëta edhe për një kohë të gjatë, derisa çmimet të shfaqin shenja të forta të rritjes.
“Të dhënat ekonomike vijojnë të sugjerojnë një rritje të moderuar, por pozitive në gjysmën e dytë të këtij viti”, deklaroi Draghi në konferencën e fundit për mediat në krye të BQE.
Ai shpjegoi se dobësia në tregjet ndërkombëtare po ngadalëson sektorin e manifakturës në Eurozonë dhe investimet e bizneseve. BQE parashikon se prodhimi i Brendshëm Bruto në Eurozonë do të rritet me 1.1%, gjatë këtij viti, dhe 1.2% në vitin 2020. Gjithashtu, inflacioni parashikohet në 1.2%, gjatë këtij viti, dhe 1% vitin e ardhshëm.
Për këtë arsye, institucioni i Frankfurtit njoftoi në shtator stimuj të rinj për të mbështetur ekonominë e Eurozonës. Kjo përfshin edhe uljen e interesit për depozitat bankare, që aktualisht gjendet në nivelin më të ulët historik prej -0.5%. Kjo do të thotë se bankat e nivelit të dytë duhet të paguajnë interes prej 0.5% për të depozituar paratë e tyre pranë Bankës Qendrore Europiane.
Momentet kyçe gjatë mandatit 8-vjeçar
Nëntor 2011
Pas dy muajsh në zyrë, Draghi njoftoi një ulje surprizë të normës bazë të interesit me 25 pikë bazë, duke rikthyer politikat e paraardhësit të tij, Jean-Claude Trichet. Vendimi shënoi uljen e parë të interesave në dy vite. Draghi e bazoi vendimin e tij mbi parashikimet për një recesion të butë deri në fund të vitit.
Korrik 2012
Ekonomia e Eurozonës ishte përkeqësuar dhe tregu i obligacioneve po shqetësohej për stabilitetin e të gjithë rajonit, me yield-et e borxhit qeveritar që arritën nivelet më të larta historike. Draghi vendosi se ishte koha për t’i adresuar këto shqetësime dhe gjatë fjalimit të Londrës tha se “BQE do të bëjë gjithçka që duhet për të shpëtuar euron.”
Qershor 2014
Inflacioni dhe rritja ekonomike në Eurozonë kishin “ngecur”. Kështuqë Draghi njoftoi se ishte koha për të aplikuar norma negative të interesit, duke detyruar huadhënësit europianë të paguanin interes për të depozituar paratë pranë bankës qendrore. Masa ishte një përpjekje për të rritur huadhënien bankare, që për rrjedhojë do të ndihmonte rritjen ekonomike. BQE ishte e para bankë qendrore e madhe që aplikoi norma negative të interesit.
Janar 2015
Duke folur drejtpërdrejt me tregjet, aplikimi i normave negative dhe masat e tjera nuk ishin të mjaftueshme për të bërë një ndryshim dramatik dhe real në rritjen ekonomike në Eurozonë. Draghi vendosi se ishte koha për të prezantuar diçka që homologët amerikanë e kishin bërë prej kohësh: lehtësimi sasior. Pra, blerja e obligacioneve qeveritare të vendeve të Eurozonës për të mbajtur yield-e të ulëta dhe për të rritur shpenzimet.
Prill 2015
Një protestuese u përpoq të ndërpriste Draghin, gjatë një konference periodike për mediat. Aktivistja hipi në tavolinën e tij duke bërtitur: “Fund diktaturës së BQE!” Ajo më pas u largua nga rojet e sigurisë dhe Draghi vijoi me konferencën mbi politikat monetare.
Dhjetor 2018
Eurozona dukej se po përjetonte një rritje më të lartë dhe më të qëndrueshme ekonomike. Kështuqë Draghi njoftoi se BQE do të ndalojë programin e lehtësimit sasior.
Shtator 2019
Me tensionet tregtare globale, ngadalësimin e ekonomisë gjermane dhe paqartësive të Brexit, rritja ekonomike në Eurozonë ishte sërish në rrezik. Ishte koha për stimuj të tjerë monetarë. BQE rifilloi programin e lehtësimit sasior dhe e la rrugën e hapur për pasuesen e Draghit, francezen
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.