Draghi pranon optimizmin – “Kriza ka kaluar dhe Eurozona po rimëkëmbet”

“Kriza e Eurozonës tashmë ka kaluar dhe rimëkëmbja e qëndrueshme po shtrihet në shumë vende dhe sektorë të rajonit”, deklaroi kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi.
Për këtë ai i njeh merita edhe vetes dhe institucionit të cilin ai drejton.
“Kjo po merr mbështetje nga politikat monetare të bankës, që janë motori i kësaj rimëkëmbje”, nënvizoi numri një i institucionit me bazë në Frankfurt.
Ndër të tjera, ai shtoi se prej vititi 2013, 5 milionë persona janë punësuar në rajon, dhe se papunësia, pavarësisht se ende e lartë, është pranë nivelit më të ulët të 8 viteve.
Kjo është hera e parë që Mario Draghi flet me tone kaq optimiste. Pavarësisht se shifrat kanë lënë gjatë muajve të fundit hapësira për eufori, Draghi është treguar gjithmonë i matur, duke kërkuar kujdes.
“Sektori financiar është tanimë më rezistent. Ekonomia globale duket se po përmirësohet dhe rreziqet e një përkeqësimi janë në rënie të ndjeshme”, nënvizoi ai.
Duke folur për rreziqet dhe sfidat ai vuri theksin te populizmi, dhe reformat.
“Duhen progrese të mëtejshme. Arkitektura institucionale e unionit ekonomik dhe monetar është ende e papërfunduar në aspekte të ndryshme. Kriza ka vënë në dukje dobësinë strukturore të asaj që ne kemi ndërtuar dha na ka detyruar të lëvizim. Sfidat që kemi përballë shkojnë përtej unionit ekonomik dhe monetar, dhe i referohen emigrimit, sigurisë dhe mbrojtjes”.
Deklaratat e Draghit, që sinjalizojnë një kurs të ri, vijnë më pak se 24 orë nga ato të Benoit Couere, i cili bëri thirrje për më pak kujdes, pasi po teprohet.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.