“Drejt 10 milionë rasteve me Covid-19”, OBSH thekson rëndësinë e përqëndruesve të oksigjenit për pacientët
Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se numri i rasteve me Covid-19 do të arrijë 10 milionë brenda javës së ardhshme dhe theksoi gjithashtu rëndësinë e makinerive të përqëndrimit të oksigjenit, që po shpëtojnë jetët e pacientëve në gjendje kritike. Mbi 9.1 milionë raste të Covid dhe më shumë se 470 mijë vdekje janë raportuar tek Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas drejtorit të përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Në muajin e parë të sëmundjes, janë raportuar më pak se 10,000 raste tek Organizata. Në muajin e kaluar, janë raportuar thuajse 4 milionë raste. Ne presim një total prej 10 milionë brenda javës së ardhshme. Kjo na kujton se pavarësisht hulumtimeve për një vaksinë, ne kemi përgjegjësi urgjente për të ndaluar infeksionin me mjetet që disponojmë.
Drejtori i Programit të Emergjencave i Organizatës, Michael Ryan, tha se situata në Amerikë po merr vrull dhe nuk ka arritur ende majën, çka mund të sjellë një rritje të vdekjeve në javët e ardhshme. Ryan tha se askush nuk kërkon të rikthehet tek masat e rrepta të karantinës dhe mënyra e vetme për ti shmangur janë investimet e mëdha në gjurmimin e rasteve dhe karantinimin e kontakteve. Shefi i Organizatës theksoi rëndësinë e përqëndruesve të oksigjenit që shpëtojnë jetë tek pacientët e sëmurë rëndë. Organizata vlerëson se me normën aktuale të infeksionit prej 1 milionë rastesh në javë, botës i duhen rreth 620,000 metra kub oksigjen në ditë dhe shumë vende po hasin vështirësi për ti marrë. Mbi 80% e tregut është zotëruar nga pak kompani dhe kërkesa po tejkalon ofertën. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka blerë 14,000 aparate të përqendrimit të oksigjenit, që do të dërgohen tek 120 vende në javët e ardhshme.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.