Drejt heqjes së taksës 100%? – Trump: Fitore! Beogradi: Fluturimet nisin me heqjen e tarifës
“Çdokush tha se nuk mund të bëhej. Por, për herë të parë në një brez, do të ketë fluturime direkte nga Serbia në Kosovë. Një tjetër fitore. Falë Ambasadorit Robert O`brien dhe Richard Grenell”-ky ishte reagimi i Presidentit amerikan Donald Trump në rrjetet sociale pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy palëve, që i hap rrugën rinisjen pas dy dekadash të fluturimeve direkte Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas.
Marrëveshja për rinisjen e fluturimeve të pezulluara që prej vitit 1998, u arrit të hënën në Berlin me ndërmjetësimin e dy ambasadorëve amerikanë. Marrëveshja është në kuadër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe u firmos në ambasadën amerikane në Berlin. Do të jetë divizioni low cost i gjermanes Lufthansa, Eurowings, kompania që do të operojë në këtë linjë direkte.
Nuk është dhënë asnjë detaj për datën e saktë të rinisjes së fluturimeve. Marrëveshja është përshëndetur jo vetëm nga Donald Trump, por edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s, Jens Stoltenberg. Pavarësisht se është arritur një marrëveshje, Beogradi shprehet se, fillimi i fluturimeve do të varet nga heqja e tarifës 100% mbi produktet serbe.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.