Drejt unionit bankar – Duhen rregulla më të thjeshta të kapitalit
Bashkimi Europian duhet të vendosë rregulla të thjeshta për kapitalin e bankave në mënyrë që të përfundojë unionin bankar nën mbikëqyrjen e unionit politik, deklaroi anëtari i Bankës Qendrore Europiane, e njëkohësisht guvernatori i Bankës Qendrore të Francës, Francois Villeroy de Galhau.
Unioni bankar është një ndër shtyllat që i mungon Bashkimit Europian dhe gjatë viteve janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të nisur përfundimin e këtij projekti që do ta bënte Europën shumë më shumë të bashkuar.
Ndër të tjera, Villeroy deklaroi se, Bashkimi Europian ka nevojë për një bashkëpunim më të mirë mes Banëks Qendrore Europiane, Komisionit Europian dhe rregullatorëve kombëtarë.
“Dy vite e gjysmë pas unionit bankar, ka pasur progres të dukshëm, por ndërtimi i këtij unioni nuk është përfunduar ende. Ne duhet të përfundojmë shtyllën kryesore dhe për këtë na nevojiten rregulla më të thjeshta”, shtoi ai.
Ndër të tjera, Villeroy nënvizoi se, duhet një zgjidhje e shpejtë edhe ndaj problemeve që po hasin bankat në Itali dhe Portugali, pasi sipas tij, nuk është normale që problemet lokale të reflektohen në imazhin e përgjithshëm të sektorit bankar në Eurozonë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.