Drejtësia po nxin apo po shkëlqen? – Hajdari: Nuk kemi Gjykatat kryesore, 114 vakanca. Gjonaj: Reforma po shkon shumë mirë
Kanë qenë krejt të ndryshme vlerësimet për ecurinë e reformës në drejtësi të paraqitura të mërkurën në mbledhjen online të Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian ku u analizua kapitulli 23 i kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria për të çelur negociatat me BE. Kreu i Këshillit Rudina Hajdari foli për një drejtësi të gjunjëzuar nga shkarkimet. Ku mungojnë Gjykata Kushtetuese, e Larta, dhe që numëron plot 114 vakanca. Ajo përmendi edhe problemet e evidentuara nga Moneyval lidhur me risqet e pastrimit të parave.
Tablo krejt të kundërt prezantoi Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, sipas së cilës reforma në drejtësi ka shkuar shumë mirë. Ajo renditi si rezultate positive ngritjen e KLP, KLGJ dhe SPAK, ndërkohë që theksoi se brenda këtij viti do të nisë punën edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Ajo shtoi se po punohet edhe për plotësimin e Kushtetueses, ku po shikohet mundësia që të caktohen edhe dy anëtarë me mandate të përkohshëm, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka nisur punën dhe ka evaduar rreth 700 dosje nga stoku i grumbulluar në vite.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.