Drejtësia, reagon përsëri Soreca – Ambasadori i BE: Reforma sipas Kushtetutës, e rëndësishme dhe e pakthyeshme
Gjatë konferencës me temë “Monitorimi i Integriteti Gjyqësor”, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ka përsëritur se reforma në drejtësi është zbatuar në përputhshmëri me Kushtetutën, është e pakthyeshme dhe e një rëndësie të jashtëzakonisht të madhe për qytetarët shqiptarë e vetë vendin. Në mënyrë indirekte i ka dhënë një tjetër përgjigje kreut të shtetit shqiptar, Ilir Meta, i cili shprehu rezerva të forta për suksesin e reformës në drejtësi dhe veçanërisht mungesën e Gjykatës Kushtetuese.
Të njëjtin qëndrim lidhur me rezervat e Presidentit ka mbajtur edhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Ndërkohë që nuk ka munguar as qëndrimi i drejtoreshës për Ballkanin perëndimor, në komisionin evropian, dhe shefja e operacionit ndërkombëtar të monitorimit, ONM, Genoveva Ruiz Calavera. Ajo ka shkruar në ueb sajtin e BE, se Unioni Evropian dhe SHBA janë të angazhuar për të vazhduar mbështetjen e reformave në sistemin gjyqësor në Shqipëri. Ajo nënvizoi se procesi është i frytshëm dhe se Gjykata Kushtetuese do të ngrihet së shpejti.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.