Drejtori i ALSE, Gjergji për BIRN – “Bursa private e aksioneve synon të mbushë boshllëkun në Shqipëri”

“Bursa e parë e aksioneve me iniciativë private në vend është planifikuar të hapet në Tetor, dhe me shpresë do të mbushë një boshllëk të madh në arkitekturën ekonomike dhe financiare të vendit”. Nis kështu shkrimi i ‘Balkan Insight’ për ALSE, bursën e parë me kapital privat në vend. Në një intervistë me gazetaren Fatjona Mejdini, drejtori i bursës, Artan Gjergji flet për rëndësinë jetësore që ka hapja e këtij institucioni të ri financiar për biznesin dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi. Më poshtë mund të lexoni artikullin e plotë.
Një bursë aksionesh me kapital privat do të hapet në Shqipëri në Tetor, tre vite pasi vendi nuk kishte formalisht një institucion të tillë.
Tirana Stock Exchange, TSE, u hap në vitin 1996, fillimisht si një departament i Bankës Qendrore e më pas si një kompani me kapital të përbashkët.
Megjithatë, ajo nuk fitoi kurrë besimin e bizneseve lokale, duke mbetur një institucion fantazmë deri në vitin 2014, kur Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e mbylli.
Artan Gjergji, drejtori ekzekutiv i Bursës shqiptare të obligacioneve, të cilën AMF e licencoi në Korrik, tha për BIRN se ishte koha që vendi të kishte një treg kapital normal.
“Nëse e shohim tregtinë financiare në Shqipëri si një trup njerëzor, mungesa e një tregu kapital është e ngjashme me mangësinë e një mushkërie që funksionon plotësisht”, tha ai, duke theksuar se tashmë Shqipëria është vendi i vetëm në rajon, përveç Kosovës, të cilit i mungon një bursë titujsh.
Ai beson se Shqipëria ka një sistem financiar të zhvilluar asimetrikisht, me një sistem bankar të zhvilluar dhe një sektor jo-bankar shumë të nënzhvilluar, të cilin tregu aktual i munguar i kapitalit ka nevojë ta ndihmojë për t’u zhvilluar.
Mbështetësit e projektit të ri besojnë se pasi të jetë ngritur, mund të rrisë aksesin e biznesit tek financat e lira si një alternativë ndaj huave bankare, dhe do të mbështesë zhvillimin e fondeve të investimit e fondeve të pensionit. Ajo do të reduktojë gjithashtu evazionin fiskal pasi kompanitë të listohen në bursë.
Gjergji tha se iniciativa e re është shumë ndryshe krahasuar me bursën e parë të vitit 1996.
“Tani kemi mbështetjen e plotë të autoriteteve financiare të vendit, investitorëve, financë të mirë dhe ekspertizë ndërkombëtare, si edhe një sistem tregtimi elektronik shumë të mirë… E gjithë kjo na jep shpresë së do të ketë sukses”, u shpreh Gjergji.
Krijimi i një burse është konsideruar përgjithësisht si një përbërës i nevojshëm i arkitekturës finaciare të vendit në fazën aktuale të zhvillimit të Shqipërisë.
Në fund të vitit 2015, Shqipëria kishte 7 miliardë euro depozita në bankë, ndërsa shuma e parave në fonde pensioni, fonde investime, apo sigurime jete ishte rreth 490 milionë euro.
Lexo këtu artikullin origjinal
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.