Drejtori i AMF-së pret misionin e FMN-së – Interes për strategjinë 5-vjeçare për zhvillimin e tregjeve nën mbikëqyrje
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi ka pritur në një takim përfaqësuesit e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë vizitës së tyre në Shqipëri.
Në fokus të takimit ishte edhe përmirësimi i bazës ligjore dhe konsolidimi i kuadrit rregullativ për menaxhim më të mirë të rreziqeve, rritjes së transparencës dhe rolit mbikëqyrës të AMF-së dhe mbrojtjes së investitorëve.
Koçi njohu përfaqësuesit e FMN-së me zhvillimet e fundit të tregjeve të cilat janë nën mbikëqyrjen e Autoritetit, duke u ndalur kryesisht te tregu i titujve dhe fondet e investimeve.
Këto të fundit, së bashku me Bursën ishin dy çështje të tjera specifike të cilat u diskutuan në këtë takim, duke ndalur më tej edhe te rëndësia e vijimit të forcimit të kapaciteteve mbikëqyrëse.
Ndërkohë, nga ana tjetër, përfaqësuesit e FMN-së shprehën interesin e tyre për strategjinë 5-vjeçare për zhvillimin e tregjeve nën mbikëqyrje.
Misioni i FMN-së zhvilloi disa ditë më parë edhe në takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ku diskutuan për një sërë çështjesh që përfshinin zhvillimet makroekonomike, parashikimet për rritjen ekonomike, konsolidimin fiskal, deeuroizimi dhe masat e marra nga BSH, etj.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.