Drejtori i Policisë së Shtetit – Ardi Veliu zëvendëson Haki Çakon
Ardi Veliu do të zëvendësojë, Haki Çakon në postin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit. I propozuar nga ministri i brendshëm, Fatmir Xhafaj, këtë të hënë kryeministri, Edi Rama, ka firmosur emërimin e Veliut në krye të uniformave blu. Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, vetëm pak ditë më parë mori gradën “drejtuesi i parë”, konkursi i zhvilluar më datë 24 janar, i cili i hapi rrugën ish-drejtorit të policisë së Tiranës për marrjen e detyrës së re.
Drejtori i sapoemëruar i Policisë së Shtetit ka mbajtur poste të rëndësishme në karrierën e tij, si shef rendi në qytetin e Vlorës, shef komisariati në Durrës, zv/drejtor policie në Tiranë, drejtor i Policisë Rrugore dhe kohët e fundit drejtor i Policisë së Tiranës, post i cili aktualisht ngelet vakant.
Në ceremoninë e betimit, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Veliu tha se edhe pse policia është institucioni më i besuar nga qytetarët, ka nevojë për një menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.