Drejtoria e Policisë Rrugore – 4666 gjoba për automjete gjatë marsit, 26 të arrestuar gjatë tre ditëve të fundit
Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, Policia Rrugore ka bërë me dije se po vijon monitorimi i qarkullimit të automjeteve, duke përdorur mjete të pauniformuara, kamera radarë e alkooltestues.
Kontrollet masive në të gjithë vendin, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “ROADPOL MARS 2021”, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, kanë çuar në evidentimin dhe ndëshkimin me masë administrative të 4666 drejtuesve të automjeteve, për shkelje të rënda rrugore, të cilat janë burim potencial për shkaktimin e aksidenteve rrugore, shkruhet në njoftim.
Gjatë tri ditëve të fundit në të gjithë vendin janë konstatuar dhe arrestuar 26 drejtues mjetesh, nga këta:
- 21 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa leje drejtimi;
- Janë pezulluar 151 leje drejtimi, nga të cilat 107 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 44 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu janë vendosur 4666 masa administrative, të ndara si më poshtë:
- 885 masa administrative për parakalime të gabuara.
- 656 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit.
- 445 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara.
- 461 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit.
- 197 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse.
- 1556 masa për parkim dhe qëndrim të gabuar.
- 466 masa për shkelje të tjera të përcaktuara në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Policia Rrugore apelon të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi gjatë fundjavës lëvizjet në disa akse rrugore janë më të shtuara.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.