Drita blu nuk është shkaku kryesor i lodhjes së syve dhe humbjes së gjumit – Ja disa këshilla se si mund të mbrohemi

Drita blu vazhdon masivisht të konsiderohet si shkaktarja kryesore për humbjen e gjumit dhe dëmtimin e syve. Kjo pasi pajisjet elektronike personale lëshojnë më shumë dritë blu se çdo ngjyrë tjetër. Drita blu ka një gjatësi vale të shkurtër, që do të thotë se është me energji të lartë dhe mund të dëmtojë indet delikate të syrit. Mund të kalojë gjithashtu përmes syrit tek retina, që është koleksioni i neuroneve që shndërron dritën në sinjalet që janë thelbësore për shikimin.
Studimet laboratorike kanë treguar që ekspozimi i zgjatur ndaj dritës blu me intensitet të lartë dëmton qelizat e retinës tek minjtë. Por, studimet epidemiologjike mbi njerëzit normal tregojnë një histori krejt ndryshe.
Një profesor në Kolegjin e Optometrisë në Universitetin Shtetëror të Ohio, tregon se kur vjen puna për të mbrojtur shikimin tuaj dhe për të mbajtur sytë tuaj të shëndetshëm, duhet të kini parasysh se drita blu nuk është shqetësimi juaj më i madh.
Mbrojtje e integruar
Një mënyrë për të menduar për dritën blu dhe dëmtimin e mundshëm të retinës është të merrni parasysh diellin, pasi rrezet e diellit janë kryesisht dritë blu. Në një ditë normale me kohë të mirë, dielli është gati 100 mijë herë më i ndritshëm se ekrani i kompjuterit tuaj. Megjithatë, disa studime mbi njerëzit kanë gjetur lidhje midis ekspozimit ndaj diellit dhe zhvillimit të degjenerimit makular të lidhur me moshën, një sëmundje e retinës që çon në humbjen e shikimit qendror.
Duke ndjekur këtë linjë logjike presupozohet që nëse të ndenjurit jashtë gjatë një dite me diell të fortë nuk na dëmton shikimin atëherë edhe tableti apo celulari nuk dëmtojnë sikurse mendohej.
Studime të fundit tregojnë se sytë e njeriut janë të ndryshëm nga sytë e brejtësve laboratorik. Kemi elemente mbrojtës, siç janë pigmentet makulare dhe aftësia natyrore bllokuese blu e lenteve kristalore. Këto struktura thithin dritën blu përpara se të arrijë në retinën delikate.
Kjo nuk do të thotë që ju nuk duhet të mbani syze dielli pasi ato ofrojnë përfitime përtej mbrojtjes së syve tuaj nga drita blu e diellit. Për shembull, mbajtja e tyre ngadalëson zhvillimin e katarakteve, çka dëmton rëndë shikimin.
Megjithatë vlen të theksohet se sidoqoftë pajisjet tuaja elektronike janë të dëmshme, dhe drita blu e tyre ndikon në sytë tuaj. Për shkak të gjatësisë së saj, drita blu prish fiziologjinë e shëndetshme të gjumit. Qelizat e ndjeshme ndaj dritës blu, të njohura si qelizat e ganglioneve retinale me ndjeshmëri fotografike, ose ipRGC, luajnë një rol kyç këtu, sepse ato i tregojnë ‘orës’ së trurit se sa dritë ka në mjedis. Kjo do të thotë, që kur shikoni një ekran të ndritshëm, këto qeliza ndihmojnë të vendosni ‘orën tuaj të brendshme’ për gatishmërinë e nivelit të ditës.
Por këto qeliza nuk janë të ndjeshme vetëm ndaj ngjyrës blu, sepse marrin edhe hyrje nga neuronet e tjera retinale që janë të ndjeshme ndaj të gjithë spektrit të ngjyrave. Prandaj, eliminimi vetëm i dritës blu nuk përmirëson gjumin tuaj, pasi është e nevojshme që ju të errësoni të gjitha ngjyrat.
A ka kuptim bllokimi i ‘blu-së’?
Bazuar në kërkime, përgjigjja e shkurtër është “jo”. Së pari, e vërteta është se çdo dritë e shndritshme shumë afër gjumit ndërhyn në gjumë. Shumë provat sugjerojnë që, në krahasim me të lexuarit e një libri, koha e shpenzuar para ekranit rrit kohën që ju nevojitet për të fjetur. Gjithashtu ju privon nga gjumi restaurues i shpejtë REM, ju mbi përqendron vëmendjen dhe ju zvogëlon aktivitetin cerebral të nesërmen. Mbajtja e telefonit afër syve tuaj mund të përkeqësojnë problemin.
Këshilla që mund të ndiqni është të mbani vetëm pak centimetra më larg telefonin apo tabletin nga sytë tuaj pasi çfarë do lloj mbrojtësi xhami apo tjetër nuk ka efekt në zvogëlimin e përthithjes së dritës blu më shumë se sa distanca.
Çfarë funksionon vërtet
Së pari, fikni pajisjet tuaja elektronike para se të flini. Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që dhomat e gjumit të jenë zona “pa ekran” për fëmijët, por të gjithë duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj këshille. Jashtë dhomës së gjumit, kur shikoni ekranet tuaja, ulni nivelin e ndriçimit.
Ju gjithashtu duhet të kujdeseni për sipërfaqen e syve tuaj. Në fakt, niveli ynë i përplasjeve të qepallave bie nga rreth 12 në minutë në 6. Si rezultat, lotët avullojnë nga sytë dhe ato nuk grumbullohen përsëri derisa të shkojmë larg nga ekrani dhe të rifillojmë palpitimet e syve. Kjo shkakton inflamacion në sipërfaqen e syrit. Kjo është arsyeja pse sytë tuaj ndjehen të thatë dhe të lodhur pas një dite të kaluar në kompjuter. Këshilla është që të ndërmerrni dy hapa për të siguruar që sytë tuaj të mbeten me lagështi gjatë seancave të gjata të punës ballë ekraneve:
Së pari, ndiqni rregullin “20-20-20”. Shoqata Optometrike Amerikane e përcakton këtë rregull si marrjen e një pushimi 20 sekondash çdo 20 minuta për të parë diçka në 20 metra në distancë. Kjo do të lejojë që sytë tuaj të fryhen dhe të pushojnë. Ka shumë aplikacione në dispozicion për t’ju ndihmuar të kujtoni të ndiqni këtë rregull gjithmonë.
Së dyti, përdorni pika lubrifikuese të syrit ose ‘lot artificial’ para përdorimit të zgjatur të pajisjeve elektronike. Kjo taktikë do të forcojë lotët natyralë të trupit dhe do ta mbajë sipërfaqen e syrit të hidratuar.
Së fundmi mbajini ekranet jashtë dhomës së gjumit, zbehini ato para se të flini dhe mbani sytë tuaj të hidratuar gjatë gjithë kohës, dhe sigurisht mos harroni të përplasni qepallat sa më shpesh! (QUARTZ)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.