“Dritare” mbi tregun financiar shqiptar – ALSE dhe Bursa e Vienës, marrëveshje për ndarje informacioni
Bursa Shqiptare e Titujve (ALSE) ka nënshkruar një marrëveshje me Bursën e Vienës, me qëllim ndarjen e informacionit rreth tregjeve financiare.
Përmes kësaj marrëveshjeje, ofruesit e informacionit financiar (data vendors), do të kenë akses në informacionin e tregut shqiptar, përmes platformës së shpërndarjes së të dhënave të Bursës së Vienës. Të dhënat e tregut shqiptar do të mund të përcillen në kohë reale te 18 mijë përdorues, në 60 vende të ndryshme të botës. Kjo zgjidhje i thjeshtëzon në minimum kërkesat administrative, ligjore dhe teknologjike për klientët e interesuar. Bursa e Vjenës shpërndan në të gjithë botën të dhëna nga 11 tregje financiare, ku mes tyre tashmë do të jetë edhe Shqipëria.
Drejtori ekzekutiv i ALSE, Artan Gjergji, tha se me mbështetjen e Qeverisë Zvicerane dhe Bankës Botërore, Shqipëria e ka përditësuar legjislacionin për tregjet e kapitalit, në linjë me direktivat e Bashkimit Europian. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, po punojnë për licencimin e përbashkët të depozitarit të titujve jo-qeveritarë, që pritet t’i japë një shtysë tregtimit të titujve në vendin tonë. Zoti Gjergji tha se bashkimi me bazën e të dhënave të Bursës së Vienës do të jetë një aset i rëndësishëm, për të ndërtuar më shumë besim në tregun financiar shqiptar dhe për ta promovuar atë në Europë.
Ludwig Niesen, drejtori i përgjithshëm teknik dhe operacional i Bursës së Vienës, tha se ky bashkëpunim dëshmon që bursat mund të kenë përfitime të rëndësishme nga shfrytëzimi i forcës dhe potencialeve të njëra-tjetrës.
Sipas tij, Bursa e Vienës po ndan njohuritë dhe teknologjinë e saj me ALSE, me qëllim për t’i dhënë më shumë njohje ndërkombëtare një tregu të rëndësishëm në Ballkan, siç është tregu financiar shqiptar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.