“Duel” për ekonominë/Schulz: Premtime boshe. Merkel: Kemi shumë për të bërë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, hodhi poshtë kritikat e rivalit të saj, Martin Schulz. Ky i fundit deklaroi se, kancelarja po neglizhon investimet madhore në infrastrukturë.
Schulz është pretendenti kryesor për t`i zënë vendin, Angela Merkel, pas 12 vitesh dominim në krye të ekzekutivit gjerman.
Gjithsesi, sondazhet tregojnë se, Schulz është shumë larg fitores, me thuajse 20 pikë diferencë me rivalen e tij.
Për Schulz, Merkel ka bërë premtime boshe sa i përket ekonomisë gjermane dhe të ardhmes politike. Ish presidenti i Parlamentit europian ka paraqitur planet e tij për të nxitur investimet dhe përmirësuar Bashkimin Europian.
Përplasja për ekonominë vjen thuajse dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në vend.
Akuzat e Schulz ndërkohë erdhën vetëm pak ditë pas apelit të disatë të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Berlinin, që ti japë rëndësi investimeve.
Gjermania gjatë viteve të fundit ka pasur një sufiçit të theksuar buxhetor, e pavarësisht kësaj, shpenzimet në infrastrukturë kanë rezultuar minimale.
Merkel u mbrojt ndaj këtyre akuzave, duke deklaruar se, aktualisht qeveria nuk mund t`i shpenzojë paratë që ka.
Gjithsesi, ajo shtoi se, qeveria ka vendosur mënjanë një shumë të konsiderueshme parash për investime në terma afat-mesëm.
“Kemi ende shumë për të bërë në këtë drejtim”, shtoi Kancelarja. Sipas saj, interneti me bazë të gjerë me shpejtësi të lartë duhet të jetë një ndër prioritetet e qeverisë gjermane.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.