Dueli i shekullit – Mayweather kërkon nisjen e negociatave me McGregor
Boksieri amerikan Floyd Mayweather i ka bërë thirrje Conor McGregor për të hapur bisedimet për një superduel miliarda dollarësh.
Ish-kampioni i pamposhtur i botës në pesë divizione mohoi zërat e ditwve tw fundit se një marrëveshje ishte arritur mes dy sportistëve, për një sfidë mbresëlënëse që ka zgjuar interes në të gjithë botën.
Gjithsesi Mayweather ka mirëpritur nisjen e negociatave, pasi McGregor të ketë “kryer punë me UFC”.
Në postimet e tij në Twitter dhe Instagram, Mayweather thotë: “Dëgjo, Conor McGregor, nëse do që ta bëjmë këtë ndeshje…mbaro punë me UFC-në dhe pastaj thuaju njerëzve të tu të vihen në kontakt me njerëzit e mi.”
— Floyd Mayweather (@FloydMayweather) February 15, 2017
Lajmet kishin raportuar se 39-vjeçari i dorëhequr ishte në përmbyllje të diskutimeve me superstarin e Arteve Marciale të Përziera, për t’u ndeshur në një ring boksi.
Ndërkohë irlandezi McGregor ka edhe pesë ndeshje të mbetura në kontratën e tij me UFC. Ai nuk i ka fshehur qëllimet e tij duke thënë: “Do të shkoj në Las Vegas, do të marr licencën e boksit dhe pastaj do të gjej Floyd-in”.
Në një postim në Instagram, McGregor i ulur në një karrige në pamje mbretërore shkruan: “Jam në Las Vegas. Floyd ka dalë në pension me ardhjen time”.
Me gjithë mburrjet e irlandezit që ka dominuar UFC vitet e fundit, ekspertët thonë se një ndeshje e tillë ka shumë pak gjasa të ndodhë, pasi janë sporte shumë të ndryshme dhe vendi ku do të zhvillohet ndeshja do të përcaktojë fituesin.
Amerikani ka një rekord të barabartë me Rocky Marcianon prej 49 fitoresh dhe asnjë humbjeje, 26 prej të cilave me Knock Out. Kurse McGregor mban një rekord prej 21 fitoresh dhe 3 humbjesh, ku bien në sy 18 KO-të, të arritura kryesisht brenda raundit të dytë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.