“Duhet dakordësi në luftën tregtare” – Zv/drejtori i FMN bën thirrje për negociata mes palëve
Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet të gjejnë një zgjidhje nëpërmjet negociatave, ndërkohë që lufta tregtare mes tyre pritet të pengojë rritjen ekonomike botërore, sipas zv/drejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Zhang Tao.
Ai i bëri komentet ndërsa analizonte ndikimin e luftës tregtare te ekonomia botërore. Ai theksoi se disa të dhëna të Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se ekonomia botërore po vuan pasojat negative të luftës tregtare mes 2 vendeve dhe i bëri thirrje të dy palëve që të arrijnë një rezolutë.
Viktima kryesore është ekonomia botërore, që do të pësojë rënie nga këto barriera tregtare. Për rrjedhojë, ne shpresojmë që të dyja palët të zhvillojnë negociata sipas një kuadri shumëpalësh në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme.
Kjo do të ishte përfituese për ekonominë botërore, përfshirë ekonomitë e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Në një raport të publikuar në muajin Korrik, FMN uli projeksionet për ekonominë botërore në një rritje prej 3.2% në vitin 2019 dhe 3.5% në 2020-ën. Përveç përplasjeve tregtare mes 2 superfuqive botërore, një faktor tjetër ka qenë pasiguria në lidhje me Brexit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.