Durrës, SHÇBA arreston 6 punonjës – Dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar 6 punonjës të Policisë në PKK Durrës. Sipas njoftimit të SHÇBA punonjësit akuzohen për korrupsion pasiv e shpërdorim detyre.
Strukturat e Drejtorisë Qendrore të Hetimit të SHÇBA-së njoftuan finalizimin me sukses të operacionit “KONTROLLORI” ku janë arrestuar në kushtet e flagrancës 6 punonjës të policisë, kontrollorë në PKK Durrës: A.Gj, 53 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës, G.B, 29 vjeç, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës, G.Ç, 51 vjeç, me detyrë Ndihmës Kontrollor në PKK Porti Durrës, D.D, 53 vjeçe, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës, D.Z, 50 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës dhe J.K, 42 vjeçe, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës.
SHÇBA tha se arrestimi i tyre u bë në funksion të hetimeve penale, në kuadër të procedimit të vitit 2018, kryer nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Individët në fjalë dyshohen për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”.
Gjatë ndjekjes së këtij procedimi, sipas njoftimit janë aplikuar metodat speciale të hetimit, ku rezulton e provuar veprimtaria e kundra ligjshme e këtyre punonjësve të policisë. Në këmbim të vlerave të ndryshme monetare, punonjësit në fjalë bënin të mundur kalimin e paligjshëm të personave me probleme, apo kategorisë së shtetasve që nuk u lejohet udhëtimi drejt zonës “Shengen”.
SHÇBA tha se gjatë kontrollit të ushtruar në kushtet e flagrancës, punonjësve të policisë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi vlerash monetare në lekë dhe euro, në vlerën 2.175 euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundra ligjshme dhe korruptive gjatë ushtrimit të detyrës.
SHÇBA bëri me dije se hetimet për këtë ngjarje po vazhdojnë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.