Durrësi rikualifikon “Aleksandër Moisiun”!

Bashkia e Durrësit ka shpallur tenderin për hartimin e projektit për rikualifikimin e Pallatit te Kulturës. Fondi limit është 3 milionë e 332 mijë lekë.
Data e mbylljes për pranimin e kërkesave për pjesëmarrje është 11 maj 2021.
Teatri “Aleksandër Moisiu” Durrës, siç quhej më parë, është hapur zyrtarisht në 11 janar të vitit 1963. Shfaqja e parë e tij ka qenë komedia “Vajza nga fshati” e shkrimtarit Fatmir Gjata, vënë në skenë nga regjisori Pandi Stillu.
Ndërtesa ka marrë emrin e artistit me famë botërore Aleksandër Moisiu, me origjinë durrsake, i nderuar dhe respektuar nga qytetarët (së fundmi edhe Universiteti i Durrësit ka marë emrin e tij në nderim të kësaj figure).
Ndërtimi i tij ishte parashikuar në Planin Rregullues të Përgjithshëm të 1942 nën drejtimin e arkitektit italian Leone Carmignani ndërsa realizimi i tij u bë vetëm në 1963 në vendin ku plani parashikonte zyrat e postës. Kantieri për realizimin e tij u bë shkas për zbulimin e Forit Bizantin në afërsi të ndërtesës. Projekti i ndërtesës së teatrit ishte përgatitur nga Valentina Pistoli. E gjithë pjesa poshtë ndërtesës do të kthehej në një stacion të rëndësishëm arkeologjik, ku dallohen lehtë Tepidariumi, Frigidariumi, e Caldariumi,
Teatri ose Pallati i Kulturës, siç janë mësuar ta quajnë qytetarët durrsakë, ndodhet në veri të sheshit Liria. Teatri është një vendkalim jo vetëm për shumë artistë por dhe një vend shumë i frekuentuar nga publiku. Shumë nga ambientet e tij përdoren për konferenca dhe aktivitete te tjera kolektive.
Në 2005 u krye një restaurim dhe rekuperim i ndërtesës. Sot ajo paraqitet si një ndërtesë me forma racionaliste. Fasada e jashtme është e përbërë nga një hyrje me kolona të cilat nisin nga shkalla dhe përfundojnë me një trup me lartësi të dyfishtë të veshur me vetratë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.