DW/ Vaj luledielli dhe bunkerë: Gjermania në frikë nga lufta!

Ndryshimi i klimës, pandemia dhe sikur këto të mos mjaftonin ato, agresioni rus kundër Ukrainës ka mbuluar gjithçka, lajmet e këqija po shtohen. Një atmosferë krize është përhapur në Gjermani. Si matës për një vend të trembur janë kthyer raftet bosh në supermarkete, kufizimet tek makaronat dhe majaja.
Javët e muajt e ardhshëm “priten kufizime të flukseve të mallrave si vaj luledielli, liri, dhe soje nga rajoni i konfliktit”, paralajmëron Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Vajit, OVID. Ukraina dhe Rusia janë eksportueset kryesore të vajit të lulediellit. Gjermania e mbulon 94% të nevojës për këto produkte nga importi. Nga shqetësimi se mund të ketë mungesë furnizimi të këtyre artikujve ushqimorë, po mblidhen rezerva të miellit dhe makaronave. Megjithëse për këto produkte nuk është dhënë alarmi.
Sipas një sondazhi të Forsas, 69% e të anketuarve kanë frikë se NATO dhe me këtë edhe Bundeswehri mund të përfshihen në luftë. Sipas sondazhit të fundit të Trendit të Gjermanisë, shumë të pyetur janë të mendimit se ky konflikt do të lerë gjurmë në Gjermani. 64% presin përkeqësim të situatës ekonomike. Deri tani qytetarët gjermanë ishin me besim tek e ardhmja, por lufta, që pjesërisht mund të ndiqet live në mediat sociale dhe gjeografikisht është kaq pranë i ka prekur emocionalisht gjermanët.
Institucionet e IT-s i tremben sulmeve kibernetike
Frika e shumë gjermanëve lidhet me sulmet kibernetike dhe kolapsin e furnizimit me energji dhe ujë në rast të ndonjë hakerimi rus. Ministrja e Mbrojtjes, Nancy Faser apeloi që ky rrezik të merret seriozisht. Edhe Zyra Federale për Sigurinë e Teknikës së Informacionit është e alarmuar. Autoriteti mbrojtës nga sulmet kibernetike në një njoftim është shprehur se mënyra e verimit të forcave ruse apo atyre të shërbimeve sekrete “është e lidhur me një rrezik të ndjeshëm për sulme me sukses të infrastrukturës së IT-s”. Zyra Federale për Mbrojtjen e Popullsisë, BBK tha se është “parimisht e mundur” një ndërprerje e furnizimit me rrymë elektrike në rast të një sulmi hakerimi. DW
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.