Dy anëtarë të rinj për SPAK/Fluks padish
Fluksi i madh i çështjeve ka detyruar KLP-në të shtojë me dy prokurorë të tjerë numrin e prokurorëve të posaçëm antikorrupsion. Të hënën, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë përzgjedhjen e 2 emrave që do t’i shtohen SPAK.
Kërkesa ka ardhur nga Kreu i sapoemëruar i këtij organi, Arben Kraja, i cili e ka justifikuar këtë nevojë me fluksin e madh të çështjeve të bartura, por edhe atyre që po depozitohen ditë pas dite.
Vlen të theksohet se vetem gjatë ditëve të fundit, SPAK ka nisur procedimet për dy çështje të rëndësishme, siç është padia për koncesionin e sterilizimit në mjekësi, si dhe akuzat për konsum droge në publik të ngritura ndaj Kryetarit të Bashkisë së Bulqizës Lefter Alla. Për të dy rastet SPAK ka nisur depozitimin e dëshmive dhe hapat e nevojshëm procedurialë.
Aktualisht SPAK numëron 10 anëtarë, 8 të emëruar dhe dy të komanduar, ndërkohë që fillimisht ishte parashikuar që struktura e posaccme antikorrupsion të niste punën me 15 prokurorë të emëruar.
Por është procesi i Vetting-ut ai që pengon Këshillin e Lartë të Prokurorisë të ketë numrat e nevojshëm për plotësimin e vakancave siç përcakton ligji. Disa prej kandidatëve për SPAK nuk kaluan dot ‘sitën’ e Vetting-ut, ndërkohë që pritet që disa emra të tjerë të kalojnë përfundimisht procesin e rivlerësimit për t’u bërë pjesë e saj.
Paralelisht SPAK ka çelur garën për përzgjedhjen e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, struktura e hetuesve që do të punojë për llogari të prolurorisë së posaçme për procedimin e rasteve të korrupsionit në rangje të larta dhe krimit të organizuar.
Lorenc Rabeta/SCAN
Një muaj nga krijimi i SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të rekrutojë edhe dy prokurorë të tjerë pasi fluksi i dosjeve në këtë prokurori ka pamundësuar hetimet nga 10 prokurorët që janë aktualisht.
Më herët, KLP shpalli 15 vende vakant për SPAK, por mungesa e hetuesve me Vetting të kaluar në të dyja shkallët bëri që fillimisht të emërohen 8 prokurorë dhe dy prej tyre Vladimir Mara e Dritan Prenci të komandohen.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.