Dy aplikime të reja për hidrocentrale në qarkun e Dibrës – Ja detajet e projekteve energjetike
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka regjistruar dy aplikime të reja të mbërritura pranë këtij dikasteri për ndërtimin e dy veprave të reja energjetike. Bëhet fjalë për dy hidrocentrale të vogla me kapacitetet nën 2 MË që propozohet të ngrihen në qarkun e Dibrës.
Projekti i parë vjen nga shoqëria “Renewable Energy” Sh.P.K., e cila kërkon të ndërtojë hidrocentralin “Dragoi” në përroin e Lepushës, degë e lumit Zalli i Bulqizës, degë e lumit Drini i Zi në Bashkinë e Bulqizës. Siç duket edhe nga emri i kompanisë me zyra qendrore në Tiranë, aktiviteti kryesor i saj janë pikërisht investimet në sektorin e hidroenergjetikës. Sakaq, emri i hidrocentralit lë të kuptosh më shumë mbi pozicionin gjeografik ku mendohet të ndërtohet, në zonën e njohur si Dragu në afërsi të Fush-Bulqizës.
Ndërkohë, projekti i dytë propozohet nga shoqëria “General Green Energy”, e cila kërkon të ndërtojë hidrocentralin “Dohoshisht” në pellgun ujëmbledhës të përroit të Peshkopisë pranë fshatit me të njëjtin emër “Dohoshisht”. Fshati ndodhet shumë pranë qytetit të Peshkopisë, ndërsa edhe në këtë rast, shoqëria ka si objekt të aktivitetit të saj veprimtaritë e ndryshme në fushën e energjetikës.
Të dyja projektet e hidrocentraleve, për shkak të kapacitetit të ulët prodhues, klasifikohen që nuk janë objekt koncesioni, që do të thotë se procedura për to është e përshpejtuar. Ndërkohë, gjatë muajit Shkurt, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se qeveria po shqyrton mundësinë e dhënies se kontratave BOO, ka do të thotë se pas periudhës së ndërtimit dhe shfrytëzimit, të kalohet në pronësi të investitorit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.